Tunizia përfshihet nga protestat kundër qeverisë
Mbi 300 njerëz janë arrestuar natën e shkuar në Tunizi, ku njerëzit kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër masave të kursimit, të ndërmarra nga qeveria.
Policia ka përdorur gazin lotsjellës kundër turmave të zemëruara për rritjen e çmimeve të produkteve bazë.
Ushtria është shpërndarë gjithandej për të mbrojtur ndërtesat qeveritare, që janë bërë shënjestra të sulmeve të protestuesve.
Kryeministri i Tunizisë, Youssef Chahed, i ka dënuar aktet e “vandalizmit” nga protestuesit, duke thënë se ata kanë bërë përpjekje të dobësojnë shtetin.
Protesta, ditëve të fundit, janë zhvilluar në së paku dhjetë qytete, përfshirë kryeqytetin Tunis.
Ato vijnë pasi qeveria ka njoftuar për rritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar.
Viti i ri financiar ka sjellë po ashtu rritje të çmimeve të disa mallrave dhe rritje të taksave mbi importet.
Ekonomia e Tunizisë lufton që nga revolucioni i vitit 2011, kur presidenti Zine El Abidine Ben Ali është detyruar të largohet pas më shumë se 20 vjetësh në pushtet.
Revolucioni është shkaktuar nga normat e larta të papunësisë në vend dhe shqetësimet për korrupsionin.