Turizmi dhe bujqësia tërheqin investitorët çekë në Shqipëri
Në kuadër të vizitës së Kryetarit të Senatit çek në Tiranë, Milan Stech, u mbajt forumi ekonomik Shqipëri-Çeki, ku të pranishëm ishin përveç personaliteteve të larta politike edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit shqiptar dhe çek.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë , Gramoz Ruçi, deklaroi se vullneti politik për bashkëpunim nga të dy palët është i pa lëkundur dhe kjo sipas tij, do t’i shërbejë edhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik. “Marrëdhëniet shumë të mira kanë një histori zhvillimi të vazhdueshëm. Çekia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, po aq sa mbështeti anëtarësimin tonë në NATO. Marrëdhëniet shumë të mira politike duhet të reflektohen edhe në bashkëpunimin ekonomik”, deklaroi Ruçi.
Sipas tij, reformat në Shqipëri, përbëjnë garanci për investitorët. “Dëshiroj të nënvizoj se reformat e ndërmarra vitet e fundit veçanërisht reforma në drejtësi, përbën një garanci për suksesin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë në këto fusha”, deklaroi ai, raporton “atsh”. Ai vuri në dukje se shkëmbimet tregtare në dy vitet e fundit ka shënuar një rritje. “Turizmi mbetet një nga fushat kryesore të bashkëpunimit me Republikën çeke, ku zbatimi i marrëveshje së turizmit të nënshkruar 2 vite e gjysmë më parë, ofron mundësi të reja. Bashkëpunimi në fushën e kulturës, arsimit e shkencës është gjithashtu një element i rëndësishëm i afrimit midis dy vendeve tona dhe mundësi për të forcuar lidhjet tona”, deklaroi Ruçi.
Kurse, kryetari i Senatit çek, Milan Stech siguroi për mbështetjen që Çekia do të japë për Shqipërinë në rrugën e integrimit europian. “Jemi të gatshëm dhe dëshirojmë të mbështesim Shqipërinë në negociatat për anëtarësim”, deklaroi kreu i senatit çek Stech.