Turizmi i Shqipërisë ndër më të goditurit nga pandemia në Evropë
Shqipëria radhitet ndër 10 vendet me dëmin më të madh të pandemisë në sezonin turistik veror në Evropë. Sipas të dhënave të INSTAT(Instituti Shqiptar i Statistikave), në muajt qershor, korrik, gusht, praktikisht gjatë gjithë kohëzgjatjes së sezonit veror, numri i netëve të qëndrimit nëpër hotele dhe struktura të ngjashme akomoduese në Shqipëri ka rënë prej rreth 900 mijë, ose me rreth 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 9-të nga 30 vende të Evropës që u janë përpunuar të dhënat.
Si vlerë krahasimi janë marrë netët e qëndrimit nëpër hotele gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, krahasuar me atë të vitit paraardhës. Disa shtete evropiane, por sidomos të rajonit mungojnë në këtë studim, duke qenë se ende nuk i kanë raportuar shifrat, por të dhënat tregojnë qartë se turizmi në Shqipëri ka pësuar një goditje më të madhe se mesatarja evropiane, që fiksohet në rreth 38% rënie, e madje më të madhe edhe se në Itali (36%), vendi që u kthye në vendin simbol i përhapjes së madhe të pandemisë. Vende si Malta, Greqia, Spanja, Kroacia apo edhe Maqedonia Veriore raportojnë një rënie të netëve të qëndrimit nëpër hotele, më të lartë se Shqipëria gjatë tremujorit të tretë të vitit.
Asnjë vend në Evropë nuk ka regjistruar një rritje të netëve të qëndrimit krahasuar me verën e vitit të kaluar, por duket se për disa shtete pandemia ka qenë më “bujare” në këtë drejtim. Në Danimarkë rënia është jo më e lartë se 10%, ndërkohë që edhe vende si Lihtenshtajni, Austria, Gjermania apo Çekia regjistrojnë një rënie jo më të lartë se 17%.
Ekspertët e ekonomisë në Shqipëri vlerësojnë se turizmi shqiptar mbijetoi këtë sezon falë turizmit patriotik. 52.55% për qind e numrit total të vizitorëve të huaj në periudhën janar – tetor të këtij viti janë shtetas nga Kosova. Për 10-mujorin, në total, Shqipërinë e kanë vizituar 2.328.641 të huaj, apo 60,2% më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, ku 1.223.770 persona nga shifra totale janë vizitorë nga Kosova. Kjo përforcon idenë se turizmi patriotik luan rol ende të madh në turizmin shqiptar.
Qytetarët nga Kosova i kanë bërë sfidë pandemisë kur vjen puna për të udhëtuar në Shqipëri. Befasia ka qenë muaji tetor ku shifrat e vizitorëve nga Kosova në Shqipëri kanë njohur një rritje me 35.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar, kohë në të cilën Shqipëria, por e gjithë bota nuk ka qenë e përfshirë nga COVID-19.
Në bazë të shifrave të publikuara nga INSTAT (Instituti Shqiptar i Statistikave), në muajin tetor të këtij viti kanë hyrë në Shqipëri 124.492 shtetas nga Kosova, krahasuar me 92001 shtetas që kanë hyrë në tetorin e vitit 2019, duke shënuar një rritje prej 35.3%. Për 10-mujorin është shënuar një rënie me 41.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar, por që llogaritet më e ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit e Evropës.
Në periudhën janar-tetor të vitit 2019 kanë hyrë në Shqipëri 2.096.989 persona nga Kosova, ndërsa në janar-tetor të këtij viti kanë hyrë në Shqipëri 1.223.770 persona.
Shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se humbjet janë shumë të mëdha në sektorin e turizmit. 443 milionë euro janë humbjet e përllogaritura nga turistët e huaj gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, duke reflektuar pasojat e rënda që ka pësuar sektori për shkak të pandemisë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë kësaj periudhe vizitorët e huaj që kanë mbërritur në Shqipëri kanë shpenzuar në total vetëm 63 milionë euro, nga 506 milionë euro që ishte kundrejt një viti më parë.
Me këtë trend humbjet deri në fund të vitit pritet të jenë edhe më të mëdha, duke iu afruar skenarit të Këshillit Botëror të Udhëtimeve dhe Turizmit, i cili vlerëson se Shqipëria mund të humbasë rreth 3.5 milionë vizitorë të huaj dhe rreth 1.1 miliardë euro nga shpenzimet e munguara prej tyre.
“Turizmi është drejt kolapsit. Humbjet llogariten në rreth 1.2-1.3 miliardë euro, rezervimet janë anuluar plotësisht për vjeshtë e dimër. Prurjet e vizitorëve nga Kosova nuk i rikuperojnë dot humbjet”, ka thënë Besnik Vathi, kryetari i shoqatës së operatorëve turistikë në Shqipëri.