Turku: Gjilani e synon Kupën

17 janar 2018 | 11:35

Futbollisti i ri i Gjilanit, Edmond Turku, ka thënë se Gjilani synon Kupën në edicionin 2017/2018. “Synimet tona janë të mëdha në pranverë. Në kampionat kërkojmë rezultate sa më të mira. Jemi optimistë se mund ta fitojmë Kupën e Kosovës”, ka thënë Turku.

Mbrojtësi Edmond Turku është një prej përforcimeve të mëdha të Gjilanit në këtë afat kalimtar. Ai të martën për “Epokën e re” ka bërë me dije se e ka zgjedhur këtë skuadër për shkak të seriozitetit që kanë treguar drejtuesit e klubit, por edhe për shkak të trajnerit Arbnor Morina. “Oferta kam pasur edhe nga klubet e tjera, por Gjilani më bindi për shkak se kryesia e klubit u tregua serioze në kryerjen e obligimeve, veçanërisht edhe për Arbnor Morinën”, ka thënë Turku.

Gjilani ka treguar lojëra dhe ka marrë rezultate pozitive në sezonin vjeshtor, kurse mbrojtësi Turku është i bindur se ky klub do të jetë edhe më i fortë në pranverë. “Rezultatet dhe paraqitjet e sezonit vjeshtor janë të mira, por në pranverë do ta shohim edhe një Gjilan më të fortë. Në klub ka lojtarë mjaftë cilësorë, kurse edhe atmosfera është e mirë”, ka deklaruar ai.

I pyetur rreth synimeve konkrete që ka klubi nga Anamorava, Turku ka bërë me dije se synon Kupën e Kosovës. “Synimet tona janë të mëdha në pranverë. Në kampionat kërkojmë rezultate sa më të mira. Jemi optimistë se mund ta fitojmë Kupën e Kosovës”, ka thënë Turku, i cili gjatë karrierës futbollistike ka luajtur edhe për Trepçën ’89 dhe Besën e Pejës.

I kënaqur me rezultatet e arritura në sezonin vjeshtor dhe mbetjen brenda objektivave është shprehur edhe javë më parë për “Epokën e re”, Betim Haxhimusa, i cili kishte deklaruar: “Ne jemi brenda objektivave të klubit pas sezonit vjeshtor. Sa i përket mundësisë që të luftojmë për titull, ka edhe shumë lojë për t’u zhvilluar dhe diferenca e vogël në mes të skuadrave e bën garën për titull edhe më të rëndësishme. Gjasat për t’u shpallur kampion shumë skuadra i kanë përafërsisht të njëjta”. Në këtë afat kalimtar, sikurse skuadrat e tjera, edhe Gjilani i ka bërë disa ndryshime. Përveç Edmond Turkut, gjilanasit i transferuan edhe Fuat Karabegun, Hasan Hysenin dhe Pleurat Hajdinin, kurse nga kjo skuadër janë larguar futbollistët Ergin Sherifi, Dior Zabërxha.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Viti 2017, ka qenë viti i katërt me radhë që…