Turneri aprovoi kushtet e ofruara nga FBK-ja për Kampionatin Evropian U-18
Prishtinë, 14 shkurt – Më 13 dhe 14 shkurt në Prishtinë ka qëndruar zyrtarja e FIBA-s, Radmila Turner, e cila e mban pozitën e Udhëheqëses së Federatave Nacionale dhe Udhëheqëses për Sport, Rini e Antidoping në FIBA Evropë.
Qëllimi i vizitës së saj ka qenë fillimi i përgatitjeve për Kampionatin Evropian U-18, Divizioni C që do të mbahet në Prishtinë prej 22 deri më 29 korrik 2018. Turneri me këtë rast ka zhvilluar takime pune me udhëheqësen e Komitetit Lokal Organizativ të Kampionatit, sekretaren e përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushkun, dhe me anëtarë të stafit të këtij komiteti, si dhe më pas e ka bërë inspektimin e palestrave sportive në Prishtinë (“1 Tetori” dhe Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë), hoteleve, ku pritet të akomodohen zyrtarët e FIBA-s, si dhe konviktin ku pritet të akomodohen ekipet pjesëmarrëse të këtij kampionati.
“Pas dy ditë pune intensive, Turneri e ka dhënë pëlqimin që kampionati mund të organizohet në kushtet e ofruara nga FBK-ja, me përjashtim të palestrës ‘1 Tetori’ ku ajo ka kërkuar të bëhen disa ndërhyrje urgjente në mënyrë që ekipet të zhvillojnë në kushte sa më të mira stërvitjet”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
Pas kthimit në Munchen, Turner do të bëjë një raport për vizitën në Prishtinë dhe më pas FBK-ja edhe zyrtarisht mund të fillojë të punojë për organizimin e Kampionatit Evropian U-18, Divizioni C.
Pjesëmarrëse të Kampionatit Evropian U-18, Divizioni C janë: Grupi A: Moldavia, Armenia, Irlanda, Malta, Monako. Grupi B: Qipro, San Marino, Kosova Gjibraltar.