Turneu i Kick Boks-it në Cetinje përfundon me incidente, arbitri dhe shikuesit sulmojnë trajnerin dhe boksierët shqiptarë

24 nëntor 2024 | 13:06

Në datë 22 nëntor 2024, në qytetin e Cetinjës, Mal i Zi, u mbajt një nga turnetë më të mëdha të kik-boksit në këtë rajon. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe klubi nga Kosova, Fight Klub Arber, i përfaqësuar nga dy garues: Nart Mehmeti dhe Elvis Shala.

Nart Mehmeti zhvilloi ndeshjen e tij të parë kundër kampionit të Malit të Zi. Edhe pse Narti dominoi ndeshjen dhe ishte dukshëm më i mirë në të gjitha aspektet, fitorja iu dha kundërshtarit. Ky vendim ishte i diskutueshëm dhe shkaktoi pakënaqësi në ekipin e Kosovës.

Pas ndeshjes, trajneri i Nartit, Migjen Shala, i cili ishte i pranishëm në ring, protestoi në mënyrë paqësore duke biseduar me referin anësor dhe trajnerin e Malit të Zi, i cili fliste shqip. Sidoqoftë, referi kryesor, që ishte serb nga Bosnja, i ndikuar nga thirrjet dhe sharjet nga tifozët serbë, u soll në mënyrë arrogante dhe ofenduese. Ai tentoi ta largonte trajnerin dhe garuesin nga ringu në mënyrë të padrejtë dhe poshtëruese.

Situata u përshkallëzua më tej kur referi kryesor, në mënyrë tinzare, goditi trajnerin Migjen Shala me një kupë metalike, duke synuar ta lëndonte rëndë. Pas këtij akti të dhunshëm, në sallë ndërhynë tifozë serbë dhe persona të tjerë, duke krijuar një situatë të pasigurt dhe të rrezikshme.

Trajneri Migjen Shala, i vetëdijshëm për rrezikun, u përpoq të qetësonte Nart Mehmetin, i cili ishte i revoltuar nga padrejtësia e referit, dhe së bashku u larguan nga ajo sallë, duke e vendosur sigurinë si prioritet.

Në mesin e audiencës së madhe ishte i pranishëm edhe kryetari i Shoqatës së Kikboksit të Malit të Zi, Ivan Strugar, si dhe njeriu i parë i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Saviçeviq.

Ndryshe, në “Capital Trophy” të tretë u zhvilluan 16 meçe në pesë kategori të disiplinës Low Kick, ku morën pjesë klube nga Mali i Zi, Serbia, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.

Turneu u organizua nga Klubi i Kick Boksit “Lovćen” dhe Kryeqyteti Cetinje, në kuadër të programit për shënimin e 13 Nëntorit – Ditës së Çlirimit të Qytetit dhe Kryeqytetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reshjet e borës, shiut dhe erërat e forta shkaktuan kaos…