Turneu i NISMA Socialdemokrate me bashkatdhetarë
Fatmir Limaj kryetar i NISMA Socialdemokrate me bashkëpunëtorët e tij zhvilloi takime me bashkatdhetarë në Itali, Zvicër dhe Gjermani.
Një takim të tillë zhvilloi edhe në Lausanne të Zvicrës ku morën pjesë bashkatdhetar të kantonit Vaud, Valisë dhe Fraiburg.
Tubimi filloi me intonimin e himnit kombëtar dhe shtetëror, pastaj në binë para bashkatdhetarëve u shfaq një djalosh i cili e hapi tubimin: “Mirëmbrëma të nderuar bashkatdhetar! Unë quhem Kumanovë Shala, jam nga Kleçka, fshati Kleçkë ka edhe një djalosh i cili quhet Çeliku. Mbase dëshironi të dini përse këta emra Kumanova dhe Çeliku në Kleçkë? Ja përse: Në vitin 1997, UÇK-ja pësoi një goditje deri në shpartallim prej forcave speciale serbe. Në pritë janë vrarë Zahir Pajaziti, Edmon Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Janë arrestuar dhe kidnapuar disa qindra persona anë e mbanë Kosovës si: Nait Hasani me bashkëveprimtarë të tij, në këtë mes janë kidnapuar dhe Ekrem Kastrati, Ali Xhyliqi dhe Demir Limaj. Për t’i përballuar rrethimit dhe goditjeve prej forcave speciale serbe, në Kleçkë janë strehuar Fatmir Limaj, Ragip Shala dhe Naser Krasniqi. Pastaj UÇK-ja, duke mbijetuar jo që nuk u shpartallua por ajo në Kleçkë nga njësiti gueril u zgjerua, u rritë në brigadë me 1500 luftëtarë, në Brigadën 121 “Kumanova”.
Të nderuar bashkatdhetarë! Në Kleçkë në ballë të luftës çlirimtare kundër zaptimit serb, qëndruan Ismet Jashari – Kumanova tani hero kombëtar dhe Fatmir Limaj – Çeliku tani personalitet kombëtar dhe politik. Prandaj prindërit tanë na pagëzuan Kumanova dhe Çeliku në shenjë nderimi ndaj këtyre çlirimtarëve. Të nderura bashkatdhetarë! Sonte kam nderin para jush t’ua prezantoj Fatmir Limaj kryetar i NISMA socialdemokrate, Ekrem Kastrati kryetar i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi nënkryetar i komunës së Malishevës dhe Avdi Morinën drejtor urbanizmi.
Gjithashtu përshëndes Ragip Shalën kryetar i Klubit Politik “Afrim Zhitia”, Kadri Gërvallën koordinator i NISMA për Evropë, familjarë të dëshmorëve, veteranë dhe veprimtarë.
Në vazhdim fjalën e mori Kadri Gërvalla, koordinator i NISMA Socialdemokrate për Evropë, i cili theksoi kontributin e mërgimtarëve në çlirimin e Kosovës kundër okupimit serb, si dhe në ndërtimin e vendit. Gërvalla pastaj shpalosi zgjerimin e NISMA në shtetet evropiane.
Në vazhdim para bashkatdhetarëve e mori fjalën i mbijetuari i krimit të gjenocidit serb në burgun e Dubravës, Ekrem Kastrati, kryetar i Komunës së Malishevës. Kryetari Kastrati me buzëqeshje fillimisht falënderoi bashkatdhetarët për tërë kontributin e tyre para, gjatë dhe pas luftës.
Pastaj shpalosi të gjitha projektet e realizuara deri më tani si dhe projektet e synuara në të ardhmen. “Të gjitha projektet e realizuara deri më tani në komunën tonë janë realizuar me buxhet vetanak, duke mos pasur fare mbështetje financiare nga buxheti republikanë”, theksoi kryetari Kastrati.
Kryetari Ekrem Kastrati shpalosi një disproporcion dhe zvarritje në shpërndarjen e mjeteve financiare prej buxhetit republikanë duke krahasuar komunën e Graqanicës dhe Malishevës, prandaj për këtë adresoi një varg kritika ndaj qeverisë Kurti.
Vesel Krasniqi, nënkryetar i komunës së Malishevës para bashkatdhetarëve numëroi sukseset e arritura, duke u zotuar në realizimin edhe të projekteve tjera në dobi të qytetarëve të komunës së Malishevës.
Tërë të pranishmit në sallë janë ngritur në këmbë duke duartrokitur kur para bashkatdhetarëve mori fjalën Komandant Çeliku – Fatmir Limaj, kryetar i NISMA Socialdemokrate.
Të dashur bashkatdhetarë, pas 26 viteve sonte jam rikthyer përsëri këtu në Lozanë, para 26 viteve së bashku me Ragipin (Shala) organizonim tubime për UÇK, dhe këtu në Llozanë, kam pasur tubimin e fundit. Pas Epopesë së Jasharajve në Prekaz, i kemi ndare detyrat, Ragipi (Shala) ka vazhduar organizimin e tubimeve për UÇK-në, kurse unë së bashku me Ismet Jasharin, Haxhiun (Shala) dhe plotë të tjerë kemi hyrë në Kosovë.
Të dashur bashkatdhetarë, lufta çlirimtare e UÇK-së ishte në kohën e duhur, dhe nëse do të vonohej, pastaj Kosova nuk do të ishte këtu ku është tani, shtet i pavarur.
Lufta e UÇK-së ka shkaktuar dy ngjarje të mëdha: Kosovës i ka sjell një fitore, çlirimin e saj prej okupimit serb, kurse Serbisë i ka sjell një humbje, humbjen e Kosovës që Serbia as që ka mundur ta paramendonte dhe vështirë, shumë vështirë e ka të pajtohet me këtë realitet. Në vazhdim, kryetari Limaj diskutoi për zhvillimet e pas luftës në Kosovë, sidomos viteve të fundit, e karakterizuar me shpifje, dhe akuza të ndryshme.
Të dashur bashkatdhetarë! siç e dini ndër akuzat më të tmerrshme ndaj nesh ka qenë akuza për shkatërrimin e shtetit. Por?
Por kur ne ngarkuam mbi supe misionin e ndërtimit të shtetit ose “shkatërrimin” siç na akuzojnë, Kosova ishte e shkatërruar deri në themel. Ne ndërtuam shkolla, ndërtuam rrugë, ujësjellës, kanalizime, objekte të administratës, ambulanta etj. Kosova nga e kaluara nuk ka trashëguar më shumë se 1200 km rrugë të asfaltuara, pra për 50 vite në Kosovë janë shtruar me asfalt 1200 km rrugë p.sh Prishtinë – Pejë, Prishtinë – Prizren etj. Ne kur po ndërtonim shtetin, për 5 vite kemi ndërtuar, shtruar me asfalt 1200 km rrugë anë e mbanë Kosovës.
Republika e Kosovës, për ndërtimin e autostradave nuk i ka borxh askujt, as bankave evropiane as fondit monetar ndërkombëtar, të gjitha i kemi ndërtuar me fonde vetanake, me buxhetin e Kosovës. Shtetet fqinje: Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi, janë të zhytura me borxhe deri në fyt për ndërtimin e autostradave të tyre. Mali i Zi ishte në prag të falimentimit për obligimet financiare ndaj Kinës, ishte Bashkimi Evropian që e shpëtoi me infuzione financiare..
Kryetari Limaj, në përmbyllje të fjalimit shfaqi shqetësime në çështjen e dialogut Kosovë – Serbi, dhe ftoi subjektet politike të jenë unikë në këtë çështje .
Në fund të tubimit studentet e Universitetit të Gjenevës dhe Llozanës, motrat Puhiza dhe Morea Shala, interpretuan me flautë Marshin e UÇK-së dhe këngën “Moj e bukura More” të cilat u duartrokitën nga të pranishmit.
Ragip Shala