Turneu ‘Lah Nimani’ zhvillohet në fundjavën e ardhshme
Me masat e reja të vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është lejuar edhe zhvillimi i garave sportive në nivel vendi.
Me këtë rast, Federata e Boksit e Kosovës ka mbajtur seminarin për gjyqtarë, delegatë dhe mjekë sportivë, ku edhe janë pranuar tre gjyqtarë të rinj në Shoqatën e Gjyqtarëve të Kosovës. Në një intervistë për “KosovaPress”, nënkryetari i kësaj federate, Sylë Voca, ka deklaruar se ky seminar është tejet i nevojshëm për avancimin dhe përshtatjen e gjyqtarëve me rregullat e reja. Ai, po ashtu, ka bërë me dije se turniri i boksit “Lah Nimani” pritet të zhvillohet së shpejti. “Qëllimi kryesor është rifreskimi i memories dhe të arriturave të boksit ose të Shoqatës së Referëve të Federatës së Boksit për ndryshimet që kanë ardhur nga Federata Botërore e Boksit dhe nga Federata Evropiane, ndërkohë edhe gjatë kohës së pandemisë ka pasur disa ndryshime jo shumë të mëdha, por të vogla që duhet të pajisen me ato njohuri kur dihet që referët janë pjesa kruciale e zhvillimit të boksit në Kosovë”, ka thënë Voca, i cili më tuje ka treguar se ka disa ndryshime në rregullore të cilat kanë ardhur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që kanë ndodhur brenda kësaj periudhe dhe këta duhet të ecin në hap me kohën.
“Ka disa ndryshime në rregullore të cilat kanë ardhur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që kanë ndodhur brenda kësaj periudhe dhe këta duhet të ecin në hapa me kohën me rregullat e AIBA-s dhe OBC-së, prandaj janë të mirëseardhura dhe të domosdoshme që të pajisen me këto rregulla që janë të obligueshme edhe për federatën tonë”, ka shtuar Voca.
Në fund, Voca ka folur edhe rreth kohës se kur mund të zhvillohet turneu i boksit “Lah Nimani” i pezulluar për shkak të pandemisë.
“Ne asnjëherë nuk kemi pushuar sa i përket zhvillimit dhe masivizimit të boksit tonë, por garat kemi qenë të detyruar të mos i zhvillojmë. E kemi pasur të gatshëm turnirin ‘Lah Nimani’ të cilin është dashur ta mbajmë para dy-tre javëve, por tani në momentin e parë që të na jepet mundësia pas lehtësimit të masave do ta mbajmë turnirin ‘Lah Nimani’ i cili do të jetë një sprovë për ne se si t’i zbatojmë rekomandimet e OBSh-së dhe të ecim përpara. Nuk ka datë të caktuar definitive se kur mund të zhvillohet turniri sepse varet edhe nga orari i sallës sa është e ngjeshur, por shpresojmë që në fundjavën e ardhshme të startojmë me turnirin ‘Lah Nimani’”, ka deklaruar Voca.