Turqi: Politika luan me fatin e mijëra refugjatëve

26 maj 2020 | 09:22

Turqia i joshi refugjatët në kufirin me Greqinë, megjithatë BE-ja mbeti për ta e paarritshme. Tani refugjatët ndodhen sërish të bllokuar në Turqi.

Shumë refugjatë në Turqi po përjetojnë odisenë e imponuar prej politikës turke. Disa qindra syresh u transportuan me autobusë në brigjet e detit Egje dhe u lanë atje në mëshirë të fatit. Synimi ishte që refugjatët duke mbetur në situatë pa rrugëdalje të detyroheshin të largoheshin vet prej Turqisë, kritikojnë aktualisht mbrojtësit e të drejtave të njeriut.

Fati i familjes Azimi është i ngjashëm me odisenë e përjetuar edhe nga mijëra të tjerë. Familja me shtatë pjesëtarë është arratisur para tre vjetësh nga Afganistani në Turqi. Në fakt ata donin prej kohësh të kishin mbërritur në Evropë. Por në vend të kësaj ata mbetën në një periferi të Stambollit. Prej javësh ata nuk kanë më guxim të kthehen në shtëpi – nga frika prej virusit Korona si edhe rreziku se mund t’i dëbojnë. Ata pranojnë në shtëpi vetëm vullnetarët që ndihmojnë si  Yasar Muhammad. Kur i viziton ata ai u mat temperaturën dhe jep kuponë për ushqime.

Edhe pak bukë, domate dhe limona e ullinj për fëmijët ka sjellë ai me vete, ndonëse e ka të qartë, që këto nuk janë më shumë se sa vetëm një vakt ushqimi. Familja ka frikë gjithashtu, se mos preken nga virusi, pasi ata nuk kanë sigurim shëndetësor. Në Turqi ata ndihen të padëshiruar.

Muhammed Yasar thotë se „vazhdimisht refugjatët i nxjerrin nga shtëpitë, madje edhe kur ata janë në gjendje të paguajnë qiranë. Këtë e kemi përjetuar shpesh.” Në fund të shkurtit ashtu si dhjetëra mijë refugjatë të tjerë familja Azimi mbërriti në kufi. Më parë qeveria turke pati deklaruar, se për ta do të hapej rruga për në Evropë.  Por nga ana tjetër Greqia i mban të mbyllura hermetikisht portat për në BE. Tentativa të veçuara për ta kaluar me dhunë kufirin kanë dështuar.

Djali i madh i familjes Reza Azimi tregon se çfarë kanë përjetuar ata në kufi: „Ne vendosëm një çadër. Çdo ditë na thoshin, që sot ose nesër mund të kaloni në anën tjetër të kufirit. Çdo ditë na kanë mashtruar”. Edhe nëse ndokush ia ka dalë të kalojë në anën grek, e kanë dëbuar me dhunë sërish në Turqi.

“Jeta jonë është pa perspektivë”

Një muaj rresht Reza Azimi dhe të tjerët qëndruan në kufi në mes të të ftohtit dhe pisllëkut – derisa një natë u erdhi policia turke: „Ata na nxorën me forcë nga çadrat. U vunë zjarrin sendeve tona. Na hipën nëpër autobusë dhe udhëtimi zgjati 20 orë. Për të ngrënë na jepnin vetëm bukë thatë. Nuk na lejonin të zbrisnim nga autobusi.” Familjen e dërguan në Malatya 1400 km larg – në një strehimore karantine.

Që andej ata pas disa ditësh u kthyen në afërsi të Ankarasë. E më në fund refugjatët përfunduan nga kufiri grek nëpër rrugët e Turqisë. Këtë fat pati edhe familja Azimi. Opinioni ndërkombëtar as që do t’ia dijë për fatin tonë, thonë ata.

Reza Azimi: „Ne po përdoremi si lodër në duart e politikës. Këtë tashmë e kupton kushdo, jo vetëm refugjatët, por edhe bashkësia ndërkombëtare.” Në fund të odisesë së tyre ndihmësi vullnetar i refugjatëve Muhammed Yasar i heq ata nga rruga dhe i strehon në një apartament me dy dhoma, të cilën ata e ndajnë me një familje tjetër refugjatësh. Se sa do të qëndrojnë ata këtu, kjo është e pasigurt.

„Tani është edhe virusi Korona në qarkullim. Rruga për në Evropë është e mbyllur dhe këtu ne nuk lejohemi të punojmë. Jeta jonë është pa perspektivë. Kur pyes për punë, më thonë, se të huajt nuk i marrin,” tregon Reza. Ëndrra për në Evropë ka dështuar për familjen Azimi. Turqia nuk do t’i mbajë ata dhe në Afganistan ata nuk mund të kthehen. Ata përpiqen të jetojnë disi me bukë, domate e disa ullinj. Dhe janë në pritje, që Turqia t’i pranojë. Ose që Evropa të hapë kufijtë për ta. /Dw/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë…