Turqia akuzon Greqinë për detin
Turqia pretendon se Greqia po dhunon të drejtën e Libisë për të shfrytëzuar hapësirën e saj detare mbi bazën e ndarjes sipas shelfit kontinental. Mediet turke kanë shkruar se ministri i mbrojtjes Hulusi Akar i ka paraqitur palës libiane disa harta të ujërave të Mesdheut.
Në njërën prej tyre, pala turke pretendon se Greqia shfrytëzon padrejtësisht mbi 39 mijë kilometra katrorë nga zona ekskluzive ekonomike e Libisë. Ministri turk citohet t’i jetë shprehur homologut libian në vizitën e javës së kaluar, se Greqia po shfrytëzon destabilitetin politik pas rënies së regjimit të Muamar Gedafit për të zgjeruar hapësirën detare në kurriz të Libisë.
Por sipas medieve, në hartat e përpiluara nga ministria turke e mbrojtjes nuk është marrë parasysh vazhdimësia e shelfit kontinental që shtrihet nga ishulli i Kretës e madje edhe ai i Qipros. Mbi këtë princip, Turqisë i lind e drejta të ndajë kufirin detar me Libinë në zonën që aktualisht i takon Greqisë.
Greqia dhe Turqia kanë mosmarrëveshje për shfrytëzimin e resurseve nënujore në zonën e Mesdheut, që kanë sjellë edhe kërcënime për luftë nga Ankaraja./tvklan.al/