Turqia arrestoi mbi 100 anëtarë të dyshuar të IS-it
Turqia arrestoi këtë javë mbi 100 anëtarë të dyshuar të grupit militant, Shteti Islamik (IS), njoftuan autoritetet të premten.
Ky vend është goditur nga disa sulme të mëdha – përfshirë një në një klub nate në vitin 2017, kur janë vrarë dhjetëra njerëz – përgjegjësinë për të cilat e ka marrë Shteti Islamik.
Bastisjet e fundit u bënë në të gjithë Turqinë, përfshirë kryeqytetin Ankara dhe qytetin më të madh, Stambollin, shkroi ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, në platformën sociale X, raporton Rel.
Arrestimi i 119 personave këtë javë pason ndalimin e 99 të të dysharve të tjerë në fillim të gushtit.
Që nga rënia e “kalifatit” të vetëshpallur të Shtetit Islamik në vitin 2019, disa anëtarë të dyshuar të këtij grupi nga Siria dhe Iraku janë vendosur në Turqi.
Autoritetet turke kanë thënë se që nga qershori i vitit 2023 janë arrestuar më shumë se 3.600 persona për lidhje të dyshuara me grupin xhihadist.
Dy nga sulmuesit që kanë vrarë 145 njerëz në një sallë koncertesh në Moskë në muajin mars, kanë kaluar disa javë në Turqi përpara se të shkonin në Rusi, sipas autoriteteve lokale.
Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë Shteti Islamik.