Turqia bart disa kompetenca te presidenti
Turqia ka bartur përmes një dekreti disa kompetenca te presidenti, duke rritur rolin ekzekutiv të kësaj pozite, që ka rezultuar nga zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale të mbajtura muajin e kaluar, transmeton “Reuters”.
Dekreti, i prezantuar në gazetën zyrtare, paraqet ndryshime të ligjeve nga viti 1924 deri më 2017, duke ndryshuar kompetencat e kryeministrit dhe ministrave dhe duke i bartur disa te presidenti dhe zyra e tij.
Në një referendum të mbajtur vitin e kaluar, shumica e votuesve kanë mbështetur presidencë me më shumë kompetenca ekzekutive. Ndryshimet politike kanë nisur pas triumfit të presidentit, Rexhep Taip Erdogan në zgjedhjet e 24 qershorit.
Zyra e kryeministrit do të shfuqizohet dhe Erdogan do të ketë fuqi për të formuar dhe emëruar ministrat, apo edhe të largojë shërbyesit civilë, pa miratimin e parlamentit.
Qeveria ka prezantuar dekrete të tilla, prej shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, e cila është vendosur si pasojë e tentimeve të dështuara për grushtshtet në korrik të vitit 2016, raporton “Rel”.
Erdogan ka premtuar se do ta heqë këtë masë nëse fiton zgjedhjet.
Ndryshimet e reja do të nisin së zbatuari kur Erdogan të bëjë betimin në parlament më 8 dhe 9 korrik.