Turqia dhe BE-ja do të diskutojnë për çështjen e migrantëve
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se të hënën do të takohet me zyrtarët e Bashkimit Evropian, për të diskutuar çështjen e migrantëve.
“Ne shpresonim të merrnim shumë më tepër mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare kur bëhet fjalë për refugjatët. Unë kam një takim me zyrtarë të Bashkimit Evropian nesër në Belgjikë. Ne do t’i diskutojmë këto çështje”, ka deklaruar Erdogan.
Në Turqi janë rreth 3.6 milionë refugjatë nga fqinji jugor Siria, ku lufta civile ka filluar nga viti 2011.
“Ne kemi përmbushur detyrimet e marrëveshjes që kemi bërë me BE-në. Megjithatë, BE-ja nuk i ka përmbushur angazhimet e veta, përveç kontributeve minimale”, ka deklaruar Erdogan.
Sipas marrëveshjes së vitit 2016, BE-ja duhej të siguronte 6 miliardë euro për të ndihmuar Turqinë të financojë strehimin, shkollat dhe qendrat mjekësore për refugjatët, raporton “Reuters”.