Turqia dhe SHBA-ja zotohen se “do t’i zgjidhin çështjet”
Shtetet e Bashkuara dhe Turqia ranë dakord të punojnë nga afër për të zgjidhur çështjet midis tyre, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.
Ai i bëri këto komente pas një, siç e cilësoi, takimi konstruktiv me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në margjina të një samiti të ministrave rajonalë në Singapor.
Bisedimet midis tyre u zhvilluan pasi Uashingtoni vendosi këtë javë sanksione kundër dy ministrave turq, për shkak të mbajtjes në burg të një pastori amerikan në Turqi, nën akuzat për terrorizëm.
Turqia tha se sanksionet janë të papranueshme.
Dy vendet, aleate të NATO-s, nuk pajtohen as me politikat rreth Sirisë.
Pastori i krishterë, Andrew Brunson, 50 vjeç, është arrestuar qysh në vitin 2016.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kërcënuar disa herë Turqinë me sanksione, nëse nuk e liron pastorin, të cilin ai e ka cilësuar si “njeri të pafajshëm”.
Sanksionet amerikane goditën ministrin turk të Drejtësisë, Abdulhamit Gul, dhe ministrin e Brendshëm, Suleyman Soylu.