Turqia do të kërkojë mbështetjen amerikane për të mbrojtur aeroportin civil në Kabul
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se shtetit të tij do t’i duhet mbështetja e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, nëse do të ketë trupa në Afganistan, pas tërheqjes së trupave tjerë të NATO-s.
Turqia po kërkon edhe përfshirjen e Pakistanit dhe Hungarisë në misionin e ri në Afganistan, pas largimit të trupave të NATO-s, ka thënë Erdogan më 14 qershor.
“Nëse ata nuk duan që ne të largohemi nga Afganistani, nëse ata duan mbështetje turke atje, atëherë mbështetja diplomatike, logjistike dhe financiare që do të na japin, do të ketë rëndësi të madhe”, ka thënë Erdogan.
Liderët e NATO-s janë pajtuar në samitin njëditor që të vazhdojnë të ndajnë fonde për aeroportin civil të Kabulit, pas tërheqjes së trupave të aleatëve deri më 11 shtator.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se aleanca është duke punuar për t’u siguruar që puna do të vazhdojë në aeroport, duke shtuar se “Turqia luan rol në këto përpjekje”.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se ekziston pajtueshmëri e fuqishme në mesin e liderëve të NATO-s, sa i përket Afganistanit.
“Trupat tanë po kthehen në shtëpi, mirëpo ne jemi pajtuar që përkushtimi ynë diplomatik, ekonomik dhe humanitar për popullin afgan dhe mbështetjen tonë për forcat e sigurisë afgane do të vazhdojë”, ka thënë ai.
Erdogan e ka përshkruar takimin me Bidenin si konstruktiv dhe e ka ftuar atë të vizitojë Turqinë.
“Ekziston vullnet i madh për nisje të epokës së re në të gjitha fushat, sa i përket respektit dhe interesit reciprok”, ka thënë Erdogan.
“Në marrëdhëniet Turqi-SHBA, nuk ka marrëdhënie që nuk mund të zgjidhen”, ka thënë ai, derisa Biden u ka thënë gazetarëve se është i bindur që palët do të bëjnë përparim./rel/