Turqia do të testojë 150 mijë persona për të matur përmasat e përhapjes së Covid-19
Turqia po përgatitet të testojë 150 mijë qytetarë për të zbuluar përmasat e përhapjes së Covid-19në popullsinë e saj. Kështu ka bërë me dije ministri i Shëndetësisë në këtë shtet Fahrettin Koca.
“Ne kërkojmë të shohim shkallën e përhapjes, mbartësit e virusit dhe gjendjen e pacientëve”, tha ministri Koca pas një takimi më këshillin shkencor të vendit.
Qeveria turke planifikon lehtësimin gradual të masave të vendosura gjatë pandemisë. Qendrat tregtare, berberët dhe floktoret pritet të hapen gjatë së hënës.
Ministri i Shëndetësisë tha se gjatë fazës së ardhshme të epidemisë, populli turk duhet të ndërgjegjësohet “për një mënyrë jetesë sociale të kontrolluar”.
Më tej, ministri u shpreh se “Rreziku është ende i pranishëm. Humbja e kontrollit do të ftojë një valë të dytë infektimi”.
Ministri i Shëndetësisë gjithashtu raportoi se të mërkurën u regjistruan 64 viktima nga Covid-19 duke e çuar numrin total të fataliteteve në 3.854.