Turqia e kundërshton planin e ShBA-së për Lindjen e Mesme
Turqia ka kritikuar të ashtuquajturin planin të paqes për Lindjen e Mesme të cilin e ka shpalosur presidenti amerikan, Donald Trump, duke thënë se populli dhe territori i Palestinës nuk janë në shitje.
Në një deklaratë zyrtare, e cila ka ardhur pas konferencës për shtyp të presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku ai ka ndarë detaje të së ashtuquajturës “marrëveshja e shekullit”, Ministria e Jashtme e Turqisë, ka thënë se marrëveshja në fjalë ka “lindur e vdekur”.
“Ky është një plan aneksimi që synon të uzurpojë tokat palestineze dhe të vret zgjidhjen me dy shtete”, ka thënë kjo ministri, duke shtuar se populli dhe tokat palestineze nuk mund të blihen.
Duke theksuar se Kudsi është një vijë e kuqe për Turqinë, Ankaraja zyrtare kë theksuar se nuk do të lejojë Izraelin të justifikojë okupimin dhe përndjekjen.
“Ne do të qëndrojmë gjithmonë pranë popullit vëllazëror të Palestinës. Ne do të vazhdojmë të punojmë për një Palestinë të pavarur brenda trojeve palestineze”, është thënë në reagimin e ministrisë, transmeton “Anadolu Agency”.
Në deklaratë është theksuar se Turqia nuk do të mbështesë asnjë plan që nuk pranohet nga autoritetet palestineze, duke shtuar se paqja në Lindjen e Mesme nuk do të arrihet nëse politikat e bazuara në pushtim nuk do të marrin fund.