Turqia e Rusia nisin patrullimin e përbashkët në Siri
Trupat turke dhe ato ruse kanë nisur të premten patrullimin e parë të përbashkët në verilindje të Sirisë.
Ky hap është në përputhje me një marrëveshje që kanë arritur Ankaraja dhe Moska javën e kaluar, e cila po ashtu ka ndërprerë ofensivën e Turqisë kundër luftëtarëve kurdë të Sirisë.
Patrullimet e përbashkëta “me njësi tokësore dhe ajrore” janë duke u zhvilluar në lindje të qytetit kufitar sirian, al-Darbasijah, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Turqisë në një postim në llogarinë e saj në “Twitter”.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë i ka konfirmuar patrullimet, duke thënë se ato do të zhvillohen “në një sipërfaqe prej më shumë se 110 kilometrash”.
First Turkish-Russian joint patrols with ground and air units are underway east of Ad Darbasiyah in NE Syria as agreed between Turkish and Russian presidents in Sochi on 22 October. pic.twitter.com/daFWbPahx2
— T.C. Millî Savunma Bakanlığı (@tcsavunma) November 1, 2019
Turqia ka nisur një ofensivë kundër forcave kurde më 9 tetor, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar për tërheqjen e pjesës më të madhe të trupave amerikane nga pjesa verilindore e Sirisë.
Më 22 tetor, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, kanë rënë dakord për të ndarë kontrollin në zonat kufitare në verilindje të Sirisë, duke iu dhënë milicive kurde 150 orë kohë për t’u larguar.
Me marrëveshjen Erdogan-Putin, Turqia do të ruajë kontrollin e zonës që ka marrë gjatë ofensivës.
Turqia është duke i konsideruar milicitë kurde në Siri si “terroriste” dhe i do larg kufirit të saj.
Sipas Turqisë, këto milici – edhe pse kanë qenë aleate të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik – janë pjesë e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, një organizatë e shpallur terroriste, e cila ka luftuar për autonominë e kurdëve brenda Turqisë me dekada të tëra.