Turqia e vazhdon mbështetjen për Kosovën në fushën e ekonomisë
Turqia do ta vazhdojë mbështetjen e Kosovës në fushën e ekonomisë. Kjo është bërë me dije të enjten në takimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit dhe ambasadorit të Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.
Në njoftimin e kësaj ministrie është thënë se Murati dhe Sakari janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Murati e ka njoftuar ambasadorin turke për prioritetet e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të cilat dalin nga programi i Qeverisë Kurti, për situatën makro-fiskale në vend, për hapat e ardhshëm në tejkalimin e gjendjes se rënduar ekonomike si pasojë e Covid-19 si dhe për adresimin e sfidave për rritjen ekonomike dhe fuqizimin e sektorit privat si bartës i punësimit dhe zhvillimit ekonomik në vend.
Ndërsa ambasadori Sakar e ka falënderuar Muratin për pritjen dhe ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të shtetit të Turqisë për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe miqësore ndërmjet dy vendeve përmes rritjes së investimeve të huaja direkte të Turqisë në Kosovë dhe mbështetjes potenciale nga ana e shteti turk në rimëkëmbjen ekonomike të vendit.