Turqia fiton bindshëm ndaj Gjeorgjisë
Pritej një përballje e luftuar dhe ashtu rezultoi të ishte.
Turqia ka marrë një fitore të madhe, pasditen e kësaj të marte, ku në “Signal Iduna Park” mposhti me rezultatin e ngushtë, 2 me 1 Gjeorgjinë, në sfidën e tyre hapëse, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, aty ku janë shortuar në Grupin F, së bashku me Portugalinë e Republikën Çeke.
Turqit dominuan që nga fillimi i lojës, me djemtë e teknikut, Vincenzo Montella, që arritën të kalonin në avantazh, që në minutën e 25’-të, falë “perlës” së Mert Muldur, i cili tund rrejtën e Mamardshvili. Epërsia do të thellohej vetëm 2 minuta më vonë falë talentit të Juventus, Kenan Yildiz, mirëpo pas një rishikimi të golit me anë të sistemin VAR anullohet për offisde, megjithatë pjesa e parë nuk do të përfundonte me kaq, pasi në minutën e 32’-të, “fantazisti” gjeorgjian, Georges Mikautadze shtang turqi, duke barazuar shifrat, për të mbyllur pjesën e parë, në 1 me 1.
Me nisjen e pjesës së dytë, turqit u hodhën në sulm për të ndëshkuar sërish “Kryqëtarët” dhe në minutën e 65’-të, pas një pasimi të shkurtër pranë mesfushës, Arda Guler lëshon një të majtë potente drejt portës së Mamardashvili duke e çuar topin në cepin më largët të mundshëm e duke shënuar padyshim golin më të bukur, deri në këtë pikë të Euro 2024, ndërsa për të vulosur rezultatin mendoi Akturkoglu, i cili përfiton nga një kundërsulm i shpejtë në sekondat e fundit të lojës, duke dërguar topin në rrjetën e boshatisur.
Falë këtij rezultati, Turqia pozicionohet në vendin e parë të Grupit F, me një golavarazh tepër pozitiv, +2, ndërsa Gjeorgjia mbetet në vendin e fundit. Sa i përket sfidave të radhës, Turqia do të ndeshet me “Luzitanët” e Portugalisë, ndërsa Gjeorgjia do të ketë shansin e madh për të rrëmbyer pikë historike përballë Republikës Çeke.