Turqia godet platformën Twitter me ndalesë reklamimi
Turqia ka goditur të martën platformat sociale, Twitter, Pinterest dhe Periscope me ndalesa reklamimi, pasi kanë dështuar të ndjekin hapin e Facebook-ut për të emëruar një të dërguar lokal, të angazhuar për fshirje të postimeve të diskutueshme, bazuar në ligjin e ri kontravers.
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut i konsiderojnë rregullat e reja si pjesë të tentimeve të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan për të kontrolluar mediat dhe për të shtypur kundërshtarët.
Mosrepektimi i ligjit të ri mund të rrezikojë të ardhmen e Twitterit në Turqi, vend të cilin kjo platformë sociale e konsideron në mesin e tri vendeve kryesore në botë – bashkë me Kinën dhe Rusinë – që kërkon largimin e postimeve.
Rregullat e reja u kërkojnë rrjeteve sociale me më shumë se 1 milion përdorues brenda ditës, që të emërojnë një të dërguar për të fshirë përmbajtjen ofenduese brenda 48 orëve.
Zëvendës-ministri i Infrastrukturës në Turqi, Fatih Sayan, ka thënë se kompanitë që reklamojnë në këto tri platforma, do të gjobiten.
Ankaraja “është e vendosur të bëjë gjithçka për të mbrojtur të dhënat, privatësinë dhe të drejtat e njerëzve tanë”, ka thënë Sayan. “Ne nuk do të lejojmë kurrë fashizmin digjital dhe shkeljen e ligjit që të dominojë Turqinë”, ka thënë ai.
Facebook ka thënë të hënën se do të emërojë një të dërguar, mirëpo e ka theksuar “sa e rëndësishme është për platformën tonë të veprojë në vendet ku përdoruesit mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për liri të shprehjes”./ REL