Turqia ia shet Pakistanit 30 helikopterë ushtarakë
Turqia ia ka shitur Pakistanit 30 helikopterë për sulm, në një marrëveshje, që është cilësuar si shitja më e madhe e Ankarasë për mbrojtje.
Agjencia shtetërore turke e lajmeve, “Anadolu” ka raportuar më 13 korrik se marrëveshja për shitjen e helikopterëve turq, “T129 ATAK”, është nënshkruar në mes të Industrisë së Hapësirës Ajrore turke dhe Ministrisë për Mbrojtje në Pakistan.
Sipas marrëveshjes, Turqia do të ofrojë edhe shërbime të logjistikës, trajnimit dhe municionit.
Agjencia nuk ka njoftuar për shifrën e marrëveshjes, mirëpo mediet turke kanë raportuar për një pakt në vlerë të 1.5 miliard dollarëve.
Pakistani ka kërkuar furnizues të rinj për pajisje ushtarake prej muajit shtator, pasi Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të pezullojnë ndihmën ushtarakë në vlerë të 1 miliard dollarëve, meqë presidenti amerikan, Donald Trump ka vlerësuar se Islamabadi ka dështuar që të shkatërrojë “strehët e sigurta” të talibanëve në Pakistan.