![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/06/FB_IMG_1654715416317.jpg)
Turqia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë
Me ftesë të ministrit të Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulus Akar, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, po merr pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar në Stërvitjen ushtarake më të madhe të forcave të armatosura turke me forcat partnere “EFES 2022”.
Në këtë stërvitje merr pjesë edhe FSK-ja me një kontingjent ushtarak, krahas 11 mijë trupave nga 38 vende tjera të botës.
Gjatë kësaj vizite, ministri Mehaj u pritë nga nikoqiri, ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar.
Nga dy ministrat u vlerësua se pjesëmarrja në stërvitje të tilla është në linjë të bashkëpunimit të ngushtë mes dy ministrive dhe forcave dhe të dy u dakorduan që të intensifikojnë bashkëpunimin e mëtejmë në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Ministri Mehaj ndër tjera, falënderoi ministrin Akar për mundësinë e dhënë si dhe mbështetjen e kontributin e vazhdueshëm në zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Nga ana e tij, ministri Akar ritheksoi gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes së pakursyer të Republikës së Turqisë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes rajonale, në Programin e Partneritetit për Paqe drejtë anëtarësimit në NATO, si dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës.