Turqia me nderime ushtarake përcjell funeralin e 11 ushtarëve që vdiqën nga rrëzimi i helikopterit
Njëmbëdhjetë ushtarët e vdekur nga rrëzimi i një helikopteri u nderuan të premten në Turqi me ceremoni ushtarake.
Përpos njëmbëdhjetë të vdekurve, në mesin e të cilëve ishte edhe një komandant, në këtë aksident mbetën të lënduar dy ushtarë të tjerë. Helikopteri me të cilin po fluturonin viktimat u rrëzua të enjten në provincën lindore të Turqisë, Bitlis.
Helikopteri është nisur në fluturim në orën 1 e 55 të pasdites nga Bingoli për në distriktin Tatvan, ndërsa kontakti me të është humbur në orën 2 e 25 minuta, shkruan “Anadolu”.
Funerali ushtarak është zhvilluar në provincën Elazig. Në funeral kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë qeveritarë e ushtarakë të Turqisë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, komandantin e përgjithshëm të forcave të armatosura, gjeneral Yasar Guler, zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Ismail Catakli e shumë zyrtarë të tjerë.
Pas funeralit, trupat e ushtarëve të vrarë në aksident u dërguan në Ankara, ku për ta do të zhvillohet një ceremoni shtetërore, në të cilën pritet të marrë pjesë edhe presidenti turk, Rexhep Erdogan.