Turqia mirëpret ekstradimin e militantit kurd nga Suedia
Turqia ka mirëpritur ekstradimin nga Suedia të një militanti të dënuar kurd, por ka sinjalizuar se pret më shumë veprime para se Ankaraja të miratojë aplikimin e Stokholmit për t’iu bashkuar NATO-s.
Ankaraja ka kërkuar që Suedia dhe Finlanda të kenë qëndrim më të ashpër ndaj grupeve kurde që Turqia i konsideron “terroriste”, në këmbim të mbështetjes së këtyre dy shteteve për anëtarësim në NATO.
“Kthimi i terroristit të PKK-së [Partia e Punëtorëve të Kurdistanit] është fillimi i shfaqjes së sinqeritetit (të Suedisë)”, tha për televizionin shtetëror turk, TRT, ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdag.
“Shpresojmë që do të ketë ekstradime të tjera”, shtoi ministri turk.
Suedia të premten ekstradoi Mahmut Tat, i cili kërkohej nga Ankaraja për shkak se është pjesë e PPK-së, grup që është i listuar si terrorist nga Ankaraja dhe aleatët e saj perëndimorë.
Tat, që është dënuar me mbi gjashtë vjet burgim nga një gjykatë turke, u largua për në Suedi më 2015, por i ishte refuzuar kërkesa për azil nga autoritetet suedeze.
Ai u arrestua nga policia turke pasi arriti në aeroportin e Stambollit dhe u dërgua në burg.
Pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Finlanda dhe Suedia në maj aplikuan për anëtarësim në
Që ato të bëhen anëtare të reja, duhet miratim unanim i anëtarëve të NATO-s.
Turqia nuk ka ratifikuar aplikimet e tyre, pavarësisht se në qershor kishte arritur një marrëveshje me Suedinë dhe Finlandën.
Në mesin e kërkesave për këto dy shtete nordike, Ankaraja tha se pret që Stokholmi në veçanti të ndërmarrë qëndrim më të ashpër lidhur me ekstradimin e kriminelëve dhe të ngrirjes së aseteve të terroristëve.
Hungaria po ashtu nuk ka ratifikuar aplikimet për anëtarësim në NATO të dy shteteve nordike, por ka premtuar se për këtë çështje Parlamenti hungarez do të votojë vitin e ardhshëm. /REL