Turqia në prag të kolapsit ekonomik
Tensionet e brendshme, të cilat kanë ulur besimin tek sistemi gjyqësor dhe shteti ligjor si edhe përplasjet e fundit diplomatike me SHBA-të, po ndikojnë negativisht në ekonominë e Turqisë duke bërë që monedha e saj, lira të zhvlerësohet me shpejtësi të madhe.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, lira është zhvlerësuar me 6 % kundrejt dollarit dhe euros duke shënuar kështu një tjetër rekord negativ pas atij të dy ditëve më parë ku u zhvlerësua me 5 % brenda 24 orëve.
Shumë prej atyre që kanë lira në dorë po vrapojnë për t’i shkëmbyer në dollar apo euro duke i’u trembur një kolapsi të ekonomisë turke, ashtu siç ndodhi në fillimin e viteve ‘2000.
Mëngjesin e sotëm, për të blerë një dollar, turqit duhej të paguanin 6.44 lira, kurse për një euro, 7.10 lira, ndërkohë që vetëm dy ditë më parë, një dollar blihej me 5.40 lira kurse një euro me 6.60 lira.
Lira turke ka humbur gjysmën e vlerës së saj që prej fillimit të këtij viti duke vendosur në vështirësi të mëdha bizneset e shumta që importojnë mall dhe makineri në valutë, raporton ‘Albeu.com”.
SHBA-të i ka kërkuar Turqisë që të lirojë priftin Andrë Brunson si edhe disa shtetas të tjerë amerikanë, të arrestuar gjatë vitit të fundit me akuzën e pjesëmarrjes në grushtin e shumëpërfolur të shtetit të korrikut 2016.
Ndërkohë, në SHBA gjenden të arrestuar drejtori i ‘HalkBank’, si edhe biznesmeni iranian Reza Zarrab me akuzën e thyerjes së embargos së OKB ndaj Iranit.
Administrata Trump këmbëngul se arrestimi i amerikanëve prej Turqisë është bërë me qëllim mbajtjen e tyre peng dhe shkëmbimin me të arrestuarit në SHBA, të cilët me deklaratat e tyre mund të përfshijnë persona të afërt me Erdoganin. SHBA iu vendosi embargo dy ministrave turq, ndërsa ka një tjetër listë gati me politikanë dhe biznese, të cilëve do t’u vendosë embargo nëse nuk lirohet prifti Brunson dhe amerikanët e tjerë. /albeu.com/