Turqia nis vendosjen e trupave në Libi

06 janar 2020 | 16:10

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka bërë me dije se trupat turke kanë nisur të vendosen në Libi, pasi Parlamenti turk e ka miratuar një veprim të tillë javën e kaluar.

Erdogani ka thënë se mision i tyre do të jetë sigurimi i stabilitetit për Qeverinë në Tripoli, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara.

Kjo qeveri po lufton një kryengritje të forcave rebele, të udhëhequra nga gjenerali Khalifa Haftar, me bazë në lindje të Libisë.

Haftar mbështetet nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Qeveria në Tripoli e ka mbështetjen e Turqisë dhe të aleates së saj, Katarit.

Forcat rebele po bëjnë përpjekje të marrin kontrollin e Tripolit.

Ato janë fajësuar për një sulm ajror, të shtunën në një akademi ushtarake, ku kanë mbetur të vrarë së paku 30 njerëz.

Megjithatë, rebelët e kanë mohuar përfshirjen.

Qeveria e Turqisë nuk ka dhënë detaje për numrin e ushtarëve të dërguar në Libi.

“Detyra e ushtarëve tanë është koordinimi. Ata do të zhvillojnë një qendër operacioni atje”, ka thënë Erdogani për “CNN”-in turk.

Ai ka theksuar se synim i Turqisë nuk është të luftojë, por “të mbështesë qeverinë legjitime dhe të shmangë tragjedinë humanitare”.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, i ka thënë Erdoganit në një bisedë telefonike se “ndërhyrja e huaj e komplikon situatën në Libi”. Ndërsa Erdogani ka thënë se Qeveria e Libisë ka kërkuar ndihmë ushtarake. /Rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka treguar për…