Turqia organizon takim trepalësh për paqe në Afganistan
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se vendi i tij do të jetë nikoqir i udhëheqësve të Pakistanit dhe Afganistanit, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund kryengritjes 17-vjeçare të talibanëve afganë.
Erdogan, duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Pakistanit, Imran Khan, në Ankara, ka deklaruar se takimi trepalësh do të zhvillohet në Stamboll, pas zgjedhjeve lokale të marsit.
Khan u ka thënë gazetarëve se shpreson se takimi do ta sjellë “paqen aq të nevojshme” në Afganistan.
“Pakistani tashmë po e ndihmon dialogun midis talibanëve dhe amerikanëve”, është shprehur Khan, i cili zhvilloi vizitën e parë në Turqi prejse ka fituar pushtetin në muajin gusht.
“Shpresojmë se Afganistani, Pakistani dhe Turqia do të mund të ndihmojnë në këtë proces të paqes”, ka thënë Khan, raportojnë mediat në Turqi.