Turqia po ndërpret të gjitha lidhjet me Izraelin
Turqia ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet me Izraelin, njoftoi të mërkurën presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
Erdogan i bëri këto komente për gazetarët në avionin e tij pas vizitave në Arabinë Saudite dhe Azerbajxhan.
“Qeveria e Republikës së Turqisë, nën udhëheqjen e Tayyip Erdogan, nuk do të vazhdojë apo zhvillojë marrëdhëniet me Izraelin”, tha ai.
Sipas tij, koalicioni qeverisës është i vendosur në vendimin e tij për të ndërprerë lidhjet me Izraelin dhe “ne do ta mbajmë këtë qëndrim edhe në të ardhmen”.
Që nga fillimi i luftës, Erdogan ka bërë shpesh deklarata kundër kryeministrit Binyamin Netanyahu dhe politikës së Izraelit në Rripin e Gazës.
Njoftimi i tij vjen pas kritikave të ashpra ndaj Erdoganit në mediat turke, ku pretendohet se, në kundërshtim me deklaratat e tij, me Izraelin me sa duket ka “lidhje të fshehta ekonomike”.
Erdogan tha gjithashtu të mërkurën se ai ende shpreson të takohet me presidentin sirian Bashar al-Assad për të rivendosur lidhjet me vendin fqinj, njoftoi transmetuesi “CNN Turk”.
Gjithashtu Erdogan theksoi se shpreson që presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, të ketë një qasje të ndryshme në Lindjen e Mesme gjatë mandatit të tij, por se disa nga mesazhet që vinin nga ana e tij ishin shqetësuese.
“Më duket është shumë herët për të folur rreth kësaj”, u tha Erdogan gazetarëve.