Turqia raporton për progres në marrëveshjen për grurin e Ukrainës
Turqia njoftoi të premten se bisedimet që po zhvillohen në Stamboll për të rinovuar marrëveshjen që lejon eksportet e grurit të Ukrainës nëpërmjet Detit të Zi pas pushtimit të Rusisë, po rezultojnë me sukses.
Marrëveshja, e cila mundëson eksportin e sigurt të grurit ukrainas, përfundon më 18 maj, ndërkohë Moska ka kërcënuar të tërhiqet nëse kërkesat e saj nuk plotësohen.
“Ne po shkojmë drejt pajtueshmërisë për vazhdimin e marrëveshjes për grurin”, tha ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, nëpërmjet një deklarate për shtyp.
Akar iu referua bisedimeve në Stamboll këtë javë ndërmjet zyrtarëve nga Turqia, Rusia, Ukraina dhe Kombet e Bashkuara.
Përfaqësuesit e Ukrainës, Rusisë, Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara (OKB) u takuan në Stamboll, më 11 maj lidhur me propozimet e OKB-së për të zgjeruar iniciativën për transportin e grurit përmes Detit të Zi.
Përveç vazhdimit të marrëveshjes, takimi në Stamboll u fokusua në një propozim të Kombeve të Bashkuara për të rifilluar eksportet e amoniakut të Rusisë përgjatë tubacionit Togliatti-Odesa, tha Organizata e Kombeve të Bashkuara nëpërmjet një njoftimi.
OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan për marrëveshje, në korrik të vitit 2022, për të lehtësuar krizën globale të ushqimit, e cila u shkaktua nga pushtimi rus i Ukrainës. Marrëveshja ndihmoi që ushqimi të arrijë te njerëzit në vendet më të varfra në Afrikë, Lindje të Mesme dhe Azi.
Rusia kishte publikuar një listë kërkesash në lidhje me eksportet e saj bujqësore, të cilat dëshiron të përmbushen para se ajo të pajtohet për zgjatje të marrëveshjes.
Ndërsa eksportet e tilla ruse nuk i nënshtrohen sanksioneve perëndimore të vendosura pas pushtimit të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, Moska thotë se kufizimet e pagesave, logjistikës dhe sigurimeve po i pengojnë dërgesat.