Turqia refuzon Amerikën, mban qëndrim të njëjtë ndaj kurdëve
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se Turqia nuk do të përmbahet nga veprimet ushtarake për të mbrojtur kufijtë e saj, nga ajo që ai e ka përshkruar si kërcënim prej luftëtarëve kurdë të Sirisë.
Deklarata e ministrit është bërë të mërkurën, një ditë pasi Turqia ka hedhur poshtë kërkesën e këshilltarit për siguri kombëtare të ShBA-së, John Bolton, i cili ka kërkuar që Ankaraja të mbrojë luftëtarët kurd në pjesën verilindore të Sirisë, para se trupat amerikane të tërhiqen nga rajoni, transmeton “Associated Press”.
Kurdët në Siri janë aleat të Shteteve të Bashkuara.
Refuzimi i Turqisë ka përforcuar një përçarje midis Ankarasë dhe Uashingtonit, dhe ka ngritur pyetje të reja rreth asaj se si Shtetet e Bashkuara do të mbronin luftëtarët që janë aleatë të ShBA në luftën kundër grupit të Shtetit Islamik.
Turqia i konsideron luftëtarët kurdë si terroristë.