Turqia regjistroi mbi 3 000 raste të reja të koronavirusit
Turqia i ka regjistruar 3 148 raste të reja të të infektuarve me koronavirus, ka njoftuar ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca. Kështu, numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë shtet shkoi në 30 217. Deri më tani, 1 326 pacientë janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet, ndërsa 1 415 të tjerë ndodhen nën kujdes intensiv, shkruan “Anadolu”, transmeton Express.
Vetëm të hënën janë kryer 21 400 teste për koronavirus dhe numri i përgjithshëm i testimeve ka shkuar mbi 200 mijë. “Së shpejti do t’i kryejmë 30 mijë teste në ditë. Është duke vazhduar rritja e numrit të pacientëve të shëruar. Rritja e numrit të rasteve të reja është e vogël në krahasim me rritjen e numrit të testeve”, tha ministri turk.
Deri më tani nga koronavirusi në Turqi kanë vdekur 649 persona. Kjo është shifër relativisht e vogël në krahasim me rastet e vendeve të tjera që kanë numër të përafërt të popullsisë.
Rastet e para të koronavirusit u shënuan në dhjetor të vitit të kaluar në Wuhan të Kinës, ndërsa virusi tashmë i ka prekur mbi 1.3 milion njerëz në mbarë botën.