Turqia rrit tarifat në disa produkte amerikane
Turqia ka dyfishuar tarifat në disa importe amerikane, siç janë veturat e pasagjerëve dhe alkoolin, në atë që nënpresidenti turk, Fuat Oktay, e ka cilësuar si përgjigjje ndaj sulmeve të Shteteve të Bashkuara në ekonominë turke, transmeton Reuters.
Ky hap vjen pas rritjes së tensioneve në mes të dy aleatëve të NATOS-s, si pasojë e burgosjes së një pastori amerikan në Turqi dhe çështjeve tjera diplomatike, të cilat kanë shkaktuar rënien e valutës turke në nivele rekorde kundrejt dollarit amerikan.
Të premten e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar për rritje të tarifave në importet e çelikut dhe aluminit që vijnë nga Turqia.
Në një dekret të publikuar në Gazetën Zyrtare të Turqisë dhe të nënshkruar nga presidenti, Recep Tayyip Erdogan, është thënë se tarifat për veturat e pasagjerëve janë rritur 120 përqind, në pijet alkoolike 140 përqind dhe në duhan 60 përqind.
Tarifat janë dyfishuar edhe në produktet kozmetike, oriz dhe mallra tjera.
“Detyrimet në importe janë rritur për disa produkte sipas parimit të reciprocitetit, në përgjigjje të sulmeve të administratës amerikane në ekonominë tonë”, ka thënë nënpresidenti turk, Fuat Oktay përmes një postimi në “Twitter”.
Të mërkurën lira është tregtuar me 6.41 për një dollar amerikan.
Erdogan ka thënë se Turiqa është cak i një lufte ekonomike dhe ka përsëritur thirrjet për banorët e vendit të tij që të shesin dollarin dhe euron dhe të përdorin valutën turke.