Turqia: Suedia po bën hapa drejt NATO-s, por jo mjaftueshëm

30 nëntor 2022 | 16:45

Turqia ka thënë se Qeveria e re e Suedisë është më e vendosur që të adresojë shqetësimet e sigurisë së Ankarasë, në këmbim që pala turke të ratifikojë anëtarësimin e Stokholmit në NATO, por bëri thirrje për “hapa konkretë”.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu është takuar të martën me homologët e tij nga Suedia dhe Finlanda në margjinat e samitit të NATO-s në Bukuresht.

Ankaraja ka fajësuar dy shtetet nordike – veçanërisht Stokholmin – për strehimin e grupeve të jashtëligjshme kurde që i konsideron grupe “terroriste”.

Për këtë arsye, Turqia ende nuk ka ratifikuar anëtarësimin e këtyre dy shteteve në NATO, pavarësisht se në qershor në Madrid u arrit një marrëveshje për këtë çështje.

“Deklaratat (që vijnë nga Suedia) janë të mira, vendosmëria është e mirë, por ne duhet të shohim hapa konkretë”, ka thënë Cavusoglu për gazetarët në Bukuresht.

“U thamë atyre se nuk kemi parë hapa konkretë për këto çështje, përfshirë ekstradimin e kriminelëve dhe ngrirjen e aseteve të terroristëve”, ka hënë ai.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom, ka thënë se takimi me Cavusoglun ishte optimist.

“Më duhet të them se pas këtij takimi ndiej se ka përparim”.

“Ne po lëvizim drejt zbatimit të memorandumit trepalësh, të cilin e nënshkruam në Madrid”,  ka thënë ajo.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, po ashtu është shprehur optimist se Suedia dhe Finlanda “shumë shpejt” do t’i bashkohen NATO-s.

Në maj, Finlanda dhe Suedia vendosën që t’i bashkohen NATO-s, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Por, që këto dy shtete të bëhen pjesë e aleancës, duhet që 30 anëtarët e NATO-s të ratifikojnë pranimin e tyre.

Deri më tani, vetëm Turqia dhe Hungaria nuk kanë ratifikuar anëtarësimin në NATO të Finlandës dhe Suedisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
01.12.2022 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Ferizaj 1.…