Turqia do të heqë gjendjen e jashtëzakonshme
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, dhe partneri i tij qeverisës kanë rënë dakord që të mos e vazhdojnë gjendjen e jashtëzakonshme, kur periudha e saj aktuale tremujore të skadojë në korrik.
Turqia është në gjendje të jashtëzakonshme që nga një grushtshtet i dështuar në vitin 2016.
Erdogani ka premtuar se do ta shfuqizojë atë nëse i fiton zgjedhjet presidenciale të 24 qershorit.
Erdogani ka fituar me 53 për qind të votave duke e zgjatur mandatin e tij së paku deri në vitin 2023.
Gazeta pro-qeveritare “Sabah” ka raportuar se Erdogani dhe udhëheqësi i partisë Lëvizja Nacionaliste, Devlet Bahceli, kanë rënë dakord që të mos e vazhdojnë gjendjen e jashtëzakonshme.
Kritikët kanë thënë se Erdogani e ka shfrytëzuar atë për të heshtur zërat kritikë. Sipas Ankarasë, ajo ka qenë e nevojshme për të shmangur kërcënimet për sigurinë.