Turqia thotë se do t’i kthejë xhihadistët e huaj në vendet e tyre
Turqia do të fillojë, nga java e ardhshme, t’i kthejë xhihadistët e huaj nëpër vendet e tyre, tha të premten ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu.
“Ju njoftojmë se do t’i kthejmë. Do të fillojmë ta bëjmë këtë nga e hëna”, ka thënë ai, duke iu referuar pjesëtarëve të grupit militant Shteti Islamik.
Më herët, këtë javë, Soylu ka thënë se Turqia ka në paraburgim afro 1 200 luftëtarë të huaj të Shtetit Islamik dhe se ka kapur 287 të tjerë në operacionin e saj të fundit në veri të Sirisë.
“Do t’i kthejmë te ju. Bëni me ta si të doni”, ka thënë Soylu të premten në Ankara.
Turqia i ka kritikuar vendet perëndimore që kanë refuzuar t’i riatdhesojnë shtetasit e tyre, që i janë bashkuar Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, madje duke ua marrë disave edhe shtetësinë.
Nuk është e qartë nëse Turqia do të jetë në gjendje t’i riatdhesojë ata që e kanë humbur shtetësinë.
Edhe pse me Konventën e Nju Jorkut të vitit 1961 është jolegale që të lihet dikush pa shtetësi, disa vende, përfshirë Britaninë dhe Francën, nuk e kanë ratifikuar atë.
Britania ua ka marrë shtetësinë mbi 100 njerëzve që dyshohet se u janë bashkuar grupeve xhihadiste jashtë vendit.