Turqia urdhëron ndalimin e 101 ushtarëve në hetimet për Gulenin
Kryeprokurori i Ankarasë ka urdhëruar ndalimin e 110 ushtarëve të forcës ajrore, pas dyshimeve për lidhje me klerikun që jeton në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, të cilin Turqia e akuzon për orkestrim të tentimeve të dështuara për grushtshtet më 2016.
Tre kolonelë, dy nënkolonelë, gjashtë majorë dhe tre kapitenë gjenden në mesin e personave për të cilët ka filluar operacioni i kërkimit në 15 provinca.
Autoritetet turke kanë kryer shpesh bastisje të tilla kundër mbështetësve të dyshuar të Gulenit, pas tentimeve të dështuara për puç, si pasojë e të cilave kanë vdekur 250 persona.
Kleriku fetar në anën tjetër mohon përfshirjen në këtë proces.
Aleatët perëndimorë të Turqisë kanë kritikuar hapat qeveritarë, të cilët janë marrë kryesisht në kohën kur Turqia ishte në gjendje të jashtëzakonshme, e shpallur vetëm pak kohë pas puçit të dështuar.
Kritikët e Erdoganit akuzojnë atë për përdorim të tentimeve të dështuara për grushtshtet, si arsyetim për të shtypur kundërshtarët, raporton “Rel”.
Mirëpo sipas autoriteteve turke, këto masa janë të nevojshme për të luftuar kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare.