Tusk: Amerika nuk ka aleat më të mirë se Evropa
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka paralajmëruar presidentin amerikan, Donald Trump në kohën e tensioneve para nisjes të samitit të NATO-s, duke thënë se ai ka “kritikuar Evropën pothuajse në baza ditore” rreth shpenzimeve për mbrojtje dhe i ka bërë thirrje ShBA-së “ të vlerësojë” aleatët.
Tusk ka folur në një konferencë për media pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të re në mes të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, më 10 korrik, një ditë para nisjes së samitit të aleancës Perëndimore në Bruksel.
“Dua t’i drejtohem Presidentit Trump, i cili për një kohë të gjatë ka kritikuar Evropën, gati çdo ditë për ato që ai i konsideron si kontribute të pamjaftueshme”, ka thënë Tusk.
“I nderuari president Trump, Amerika nuk ka dhe nuk do të ketë aleat më të mirë se Evropa”.
Ai ka shtuar :“E dashura Amerikë, vlerësoj aleatët, në fund të fundit nuk është se keni aq shumë”.
Ai u ka bërë thirrje shteteve evropiane të “shpenzojnë më shumë në mbrojtje sepse çdokush respekton një aleat që është i përgatitur dhe i pajisur”.
Turmpi ka insistuar vazhdimisht te vendet anëtare të NATO-s, të përmbushin qëllimin për rritjen e shpenzimeve për 2 për qind në mbrojtje deri më 2024.
Disa zyrtarë evropianë kanë shprehur shqetësim se udhëtimi i Trumpit në Evropë, i cili përfshin vizitën në Britani dhe samitin me presidentin rus, Vladimir Putin më 16 korrik në Helsinki mund t’i japë fund bashkësisë transatlantike.
Në pothuajse kohën e njëjtë kur ishte duke folur Tusk, presidenti amerikan u ka bërë thirrje vende të NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrojtje.