Tusk: Ende është i mundshëm Brexiti pa marrëveshje
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka thënë se Britania dhe Bashkimi Evropian kanë ende mundësi që të dështojnë në arritjen e marrëveshjes sa i përket Brexitit, vetëm gjashtë muaj para se Britania të largohet nga blloku evropian, transmeton “AP”.
Tusk ka thënë të martën se “fatkeqësisht, një skenar pa marrëveshje është ende i mundshëm. Mirëpo nëse ne të gjithë veprojmë me përgjegjësi, mund të anashkalojmë një katastrofë”.
Këto paralajmërime kanë ardhur në një ftesë që Tusk ka nisur drejt liderëve, për të marrë pjesë në samitin që do të mbahet në mbrëmjen e së mërkurës në Salzburg të Austrisë.
Tusk, i cili do të udhëheqë takimin, dëshiron që 27 liderët, pa kryeministren britanike, Theresa May të nënshkruajnë një marrëveshje, e cila do të nënvizonte marrëdhëniet me Britaninë, pasi kjo e fundit të largohet nga BE-ja, në mars të muajit 2019.