Tusk: Presidenti Trump paraqet një nga sfidat kryesore të BE-së
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka deklaruar se presidenti i SHBA-së, Donald Trump paraqet një nga sfidat më të mëdha për Bashkimin Evropian.
Sipas tij, presidenti amerikan ka mirëpritur vendimin e Britanisë së Madhe për t’u larguar nga BE-ja, duke e etiketuar Evropën një rival tregtar.
“Për herë të parë në histori, një president amerikan është hapur kundër një Evrope të bashkuar. Ai mbështet Brexit-in dhe lutet për shpërbërjen e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Tusk për gazetën javore gjermane “Die Zeit”.
Tusk, një ish-kryeministër polak, është gati të përfundojë mandatin e tij pesë-vjeçar si president i Këshillit Evropian, një rol në të cilin ai ka përgatitur dhe kryesuar samite të rregullta të liderëve evropianë.
Tusk pritet të pasohet nga ish-kryeministri belg, Charles Michel.