Tusk: S’ka marrëveshje për Brexit pa zgjidhur çështjen e kufirit me Irlandën
18 prill 2018
| 16:21
Nuk do të ketë marrëveshje për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe as marrëveshje tranzicioni derisa nuk zgjidhet çështja e kufirit me Irlandën, ka thënë presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
“Vendimi i Britanisë për Brexit ka shkaktuar problem dhe Britania duhet ta zgjidhë atë. Pa zgjidhje, nuk do të ketë marrëveshje për tërheqje e as për tranzicion”, ka thënë Tusk, duke folur para Parlamentit Evropian në Strasburg.
Negociatorët e Brexit-it do të takohen sot për të vlerësuar nëse ka përparim në çështjen e kufirit irlandez.
Britania dhe BE-ja janë pajtuar se nuk duhet të ketë “kufi të vështirë”, por diferencat mbeten në atë se si të arrihet ky qëllim.
Britania duhet të largohet nga BE-ja deri në mars të vitit të ardhshëm.