“Twitter” pezullon llogaritë e ambasadave serbe në disa shtete
Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë njoftoi më 22 gusht se llogaritë në “Twitter” të ambasadave serbe në Armeni, Iran, Indonezi, Nigeri, Zimbabve, Gana dhe Kujvat, por edhe të Konsullatës së Përgjithshme në Çikago, janë pezulluar më 18 gusht.
Sipas kësaj ministrie, pezullimi i llogarive “u bë pa asnjë sqarim dhe pa asnjë njoftim paraprak që do të tregonte për ndonjë shkelje të mundshme të rregullave të komunikimit në këtë rrjet social”.
MPJ e Serbisë tha se “kjo është e papranueshme për misionet diplomatike të një shteti demokratik që nuk është subjekt i asnjë sanksioni”.
“Disa prej llogarive të pezulluara janë hapur së fundmi dhe nuk kanë qenë aktive, ndërkaq të tjerat nuk kanë asnjë përmbajtje që mund të konsiderohej e papërshtatshme”, u tha në njoftim.
Ministria e Jashtme tha se Serbia është e përkushtuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe respekton liritë “sipas standardeve më të larta evropiane”.
“Është absurde që një numër i misioneve tona diplomatike dhe konsullore të censurohen në median sociale që promovon demokracinë dhe pluralizmin e mendimit”, u tha në njoftim.
Serbia ka kërkuar nga kompania “Twitter” që të zhbllokojë këto llogari.
Ministria e Jashtme serbe po ashtu tha se shpreson se pezullimi i llogarive “nuk është pjesë e përpjekjeve për të heshtur Serbinë në luftën për të vërtetën”, veçmas për situatën lidhur me Kosovën.