Tym dhe flamuj të bardhë para Qeverisë, përfundon protesta e PSD-së kundër themelimit të Asociacionit
Ka përfunduar protesta e Partisë Socialdemokrate (PSD) kundër Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që liderët e dy shteteve arritën nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në protestën e organizuar nga PSD-ja, që nuk është parti e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, morën pjesë qindra persona.
Protestuesit zëvendësuan flamujt e Kosovës, të vendosur te ndërtesa e Qeverisë, me flamuj të bardhë, për të simbolizuar “dorëzimin” me pranimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Po ashtu, PDS lëshoi tym të zi drejt ndërtesës së Qeverisë, për të treguar, siç tha, “zymtësinë” që ka sjellë Qeveria Kurti.
Kreu i kësaj partie, Dardan Molliqaj, tha se kjo marrëveshje paraqet “një faqe të keqe”, teksa akuzoi Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, se është dorëzuar për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që sipas tij, do t’i jap autonomi komunitetit serb në Kosovë.
“Askush në Kosovë nuk beson se duhet të krijohet entitet politik, paralel e etnik. Andaj, besojmë se duhet të vazhdojmë përpjekjet tona për të ndalur Qeverinë, e cila është e qartë se u dorëzua para nevojës për të mbajtur pushtet”, tha Molliqaj, në protestën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes shteteve, apo siç njihet ndryshe edhe si propozimi evropian.
Më 18 mars, palët u pajtuan në Ohër për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Në tekstin e marrëveshjes, neni 7 përmend sigurimin e një “niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, që sipas Molliqajt nënkupton themelimin e Asociacionit.