Projektligji për shëndetin riprodhues, Reshitaj: Mund të ketë martesa mes vëllait e motrës

26 shkurt 2024 | 22:03

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj, ka thënë se Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar, ka shumë probleme.

Ajo në RTV Dukagjini, tha se lindja e fëmijës me metodën IVF mund të dërgojë deri te incesti.

“A e dini çka ndodhë nëse fëmijës pas moshës 18 vjeçare që është krijuar nga IVF nuk e njeh prindin gjenetik. Duke pasur parasysh sa e kemi numrin e popullsisë, dhe duke u zvogëluar popullata, probabiliteti i martesës së një fëmije të një vëllai me një motre është shumë i madh”, tha ajo.

Deputetja opozitare tha se kjo është tejet shqetësuese.

“Krijimi i mundësisë për të pasur martesa mes vëllait dhe motrës pastaj për të pasur fëmijë me anomali kongjenitale është shumë e madhe. Për mua është një Hiroshimë dhe Nagasaki”, u shpreh Reshitaj.

Reshitaj tutje tha se në këtë Projektligj është futur dhe i është dhënë rëndësi sterilizimit te të rinjtë.

“Jam fokusuar dhe kam ngritur shqetësimet e mia profesionale e shkencore. Çka ka ndodhur, është marrë udhëzimi administrativ i 2013-tës dhe është vendosur kozmetikë kamuflimi, duke vendosur pjesë që nuk përkojnë fare me fertizilimin e asistuar. Pjesa e sterilizimit, s’ka pasur nervojë të vendoset këtu, ajo është te neni 86 ku thuhet se sterilizimi mund të kërkohet me kërkesën individuale të dy personave”, tha ajo.

Ajo u shpreh se edhe ekspertët e jashtëm kanë vlerësuar se pjesa e sterlizimit duhet të hiqet nga projektligji.

“Nuk e kuptoj çfarë qëllimi politik, që e vendosim sterilizimin këtu. Ku e shënojmë djemtë dhe vajzat tona mund të sterliziohen. Duke pasur trendin e jetës, aktivitetin e gjeneratës së re trendin seksual, një ditë mund t’i bien pishman pse janë sterliziuar, por do të jetë vonë. Pse po ia rikujtojmë edhe një herë, përmes projektligjit”, tha ai.

Ndryshe, Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar, vazhdon të jetë problematik për deputetët në Kuvendin e Kosovës.

Menjëherë pas Kodit Civil, ligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar është i dyti në listë si mollë sherri mes deputetëve të shumicës.

Akoma vazhdon të mos kalojë në lexim të dytë ky projektligj tashmë problematik, duke u gjendur para votave kundër, abstenime e mospjesëmarrjeve në votim.

Për fertilizimim e asistuar për gratë që nuk arrijnë shtatzëni të dëshiruar me rrugë natyrore nuk po pajtohen të gjithë deputetët.

Dertin më të madh e kanë me faktin se ligji do të vlente edhe për gratë e pa martuara.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i shqetësuar për…