Tyson: Kam pirë helmin e zhabës
Mike Tyson nuk rresht së befasuari me jetën e tij. Gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në Majemi, ish-boksieri kampion bote në peshën e rëndë ka thënë se ka përdorur disa herë helmin e zhabës së shkretëtirës, si një kurë. Dhe, falë kësaj metode, jeta e tij ka ndryshuar përgjithnjë.
“Kam marrë 53 herë helmin e zhabës së shkretëtirës. Gjithsesi, përvoja ime e parë me këtë metodë ka qenë unike. Atë herë të parë thuajse kam vdekur. Asokohe këtë gjë e bëra si një sfidë. Në jetën time kam përdorur lloje të ndryshme drogash, nga më të fortat, si kokaina. Ndaj vendosa të provoja edhe këtë gjë të re. Helmi i zhabës së shkretëtirës është i një dimensioni tjetër. Para se ta bëjë këtë gjë isha si një relike”, u shpreh Mike Tyson.
Në fermën e tij në jug të Kalifornisë boksieri ka shumë zhaba të tilla, të cilat ai i përdor. Tyson tha se ka zbuluar këtë ritual tradicional shërimi 4 vite më parë dhe që nga ajo kohë ka humbur 45 kg. Ish-kampioni i boksit, në moshën 54-vjeçare u rikthye në ring, ndërsa tani po flitet për një tjetër revansh me Holyfield, i cili e ka mposhtur dy herë.