U arrestua sot në mëngjes nga EULEX-i, djali i Haxhi Shalës thotë se nuk e dinë se ku ndodhet ish-komandant Topi
Mëngjesin e ditës së sotme nga EULEX është bastisur dhe arrestuar, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, i njohur me nofkën komandant Topi.
Ndonëse kanë kaluar disa orë nga arrestimi i tij, familjarët thonë se nuk kanë ndonjë informacion se ku gjendet Shala.
Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar me djalin e tij, Flakron Shala.
Ai ka thënë se nuk kanë ndonjë informacion se çfarë po ndodh me babin e tij.
“E ka refuzuar të drejtën e avokatit. Nuk kemi ndonjë informacion.”, ka thënë shkurt ai.
As nga Dhomat e Specializuara nuk ka ende ndonjë konfirmim zyrtar se çfarë po ndodh me Shala.
Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar gjatë paradites e ka konfirmuar se janë duke zhvilluar operacione.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të tjera”, thuhet në përgjigjen e ZPS-së për Reporteri.net.
Kujtojmë se në gusht të vitit 2020, Shala ishte ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit, e në tetor ishte intervistuar.