U arrestuan për terrorizëm, krejt çka dihet deri më tani për ta
Mbrëmë se gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës janë arrestuar pesë persona nën dyshimin se kanë përgatitur vepra terroriste. Emri i të arrestuarit të parë ishte Ardian Qerkinaj, kurse i të dytit ishte Mentor Bellaqa. Ndërkaq dy të arrestuarit e tjerë janë Ergim Syla dhe Nehrudin Skenderi.
Sinjali nga burimet ka mësuar se Qerkinaj jeton në lagjen “Dardania” në Pejë dhe se pas orës 13:30 është bllokuar lagjja dhe është kryer bastisja.
Gjithashtu, raportohet se Qerkinaj ka qenë pjesë e grupit në Siri para disa vitesh. Por ende nuk është e qartë nëse të arrestuarit kanë lidhje me ISIS-in ose organizatat tjera terroriste.
Kurse, burimet e Sinjalit kanë njoftuar se i dyshuari tjetër, Mentor Bellaqa, u arrestua në Prizren, rreth orës 15:00, bashkë me një të dyshuar tjetër për këtë rast.
Bellaqa ka qenë i arrestuar në vitin 2014, si një nga të dyshuarit që kanë qenë pjesë e luftës në Siri.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se gjatë bastisjes janë gjetur materie eksplozive, armë të zjarrta dron, si dhe armë anti-tankë.
“Gjithashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit persona kanë kryer veprat penale “Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 138 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129 paragrafi 1lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 paragrafi 2 i KPRK-së”, thuhet nga prokuroria.