U.D. i Kryeshefit të “Trainkos” kërkon mbylljen e medieve
Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit të Ndërmarrjes Publike “Trainkos”, Agron Statovci, e ka përshëndetur heqjen e licencës së biznesit ndaj Klan Kosovës, derisa ka kërkuar edhe mbylljen e medieve tjera në Kosovë.
Përmes një statusi në Facebook, Statovci i cili në këtë pozitë u emërua muaj më parë nga Qeveria Kurti, ka thënë se shërbim më i mirë Kosovës nuk mund t’i bëhet se sa me mbylljen e medieve.
Statovci duke aluduar ne dezinformimin e medieve në Kosovë, ka shkruar se më mirë është të mos informohet fare se sa të dezinformohet.
“Të dashura media, juftoj që të solidarizoheni me Klan Kosovën, mbylluni edhe ju. Shërbim ma të mirë Kosovës kurrë nuk mundeni me i bo. Ma mirë me kanë të painfozmum se të dezinformum”, ka shkruar u.d Kryeshefi i “Trainkost”-it”, ka shkruar Agron Statovci.
Ndaj vendimit të mbrëmshëm të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë kanë reaguar edhe Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Bashkimi Evropian, organizata ndërkombëtare të lirisë së shtypit, partitë politike në vend e shoqëria civile,të cilët e kanë quajtur goditje të rëndë ndaj lirisë së mediave, fjalës së lirë dhe mbarë demokracisë.