U dëbuan dhunshëm nga puna në vitet ’90-a, Avokati i Popullit: Kriteri i stazhit për pension, i padrejtë
Avokati i Popullit e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën të nenit 4 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.
Çështja e ngritur nga Avokati i Popullit ka të bëjë me stazhin kontributpagues i përcaktuar me nenin 8 të Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, për të cilin Avokati i Popullit, më 6 prill 2018, ka publikuar Raportin me rekomandime ex officio 235/2018, ku ka theksuar se “një pjesë e qytetarëve që kanë punuar para vitit 1999 nuk përfitojnë nga pensioni kontributpagues i moshës, për shkak se në vitin 1989 e tutje, janë larguar nga puna në mënyrë diskriminuese si pasojë e masave të dhunshme dhe se për këtë arsye nuk kanë mundur të arrijnë stazhin kontributpagues prej 15 vitesh”.
Avokati i Popullit ka thënë se nëpërmjet këtij raporti kishte kërkuar ndryshimin e ligjit dhe përfshirjen në skemën pensionale kontributpaguese të të gjithë qytetarëve, të cilët për shkak të largimit të dhunshëm nga puna nuk kanë qenë në mundësi që të arrijnë stazhin pensional prej 15 vitesh të përcaktuar me ligj.
Më tutje është thënë se në këtë drejtim edhe Gjykata Kushtetuese nëpërmjet aktgjykimit KO 190/19 të datës 16 janar 2023, kishte konstatuar se “Ligji nr.04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti nuk është në përputhshmëri me nenin 24 (Barazia para Ligjit) të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 1 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
“Rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Kuvendin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, respektivisht, që deri më 15 korrik 2023 të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e nenit 8 të Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë aktgjykim”, është thënë në njoftimin e Avokati i Popullit.
Ligji i kontestuar ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023, i cili në mes tjerash, e shton nenin e quajtur “Pensioni parcial kontributpagues i moshës” i cili sipas Avokatit të Popullit nuk e zgjidh problemin për shkak se një numër qytetarësh të dëbuar nga puna si pjesë e masave të dhunshme mbesin përsëri jashtë kësaj skeme.
Avokati i Popullit ka vlerësuar se “mbajtja si kriter i stazhit kontributpagues për 15 vjet, vazhdon t’ua mohojë realizimin e të drejtës qytetarëve të dëbuar nga puna e që si pasojë e kanë të pamundur të përmbushin këtë kriter”.
“Avokati i Popullit vlerëson se në këtë mënyrë këtyre qytetarëve u mohohet e drejta për trajtim të barabartë para ligjit, ashtu siç është përcaktuar edhe në aktgjykimin KO 190/19”, është thënë në njoftimin e Avokatit të Popullit.