U falën gjaqet për t’u bashkuar për luftë kundër Serbisë
34-vjetori i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991
Më 29 janar janë bërë 34 vjet nga vendimi i madh për të filluar pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave në Kosovë.
Më 2 shkurt 1990 Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991 shënon ndërhyrjen e parë në Lumbardh të Deçanit, e cila rezultoi me një besë dymuajshe.
Nismëtarët e pajtimit të gjaqeve në Kosovë ishin: Myrvete Dreshaj, Have Shala, Adem Grabovci, Brahim Dreshaj dhe Lulëzim Etemaj. Të gjithë studentë dhe ish- të burgosur politikë. Shtrirja e dorës së pajtimit të parë në Kosovë, e arritur nga kjo Lëvizje, pas 14 vjetësh hasmëri, është ajo në mes të Fazli Buqollit dhe Idriz Buqollit, më 10 shkurt 1990, në fshatin Raushiq të Pejës. Kontribut të fuqishëm në arritjen e këtij pajtimi ka dhënë edhe heroi Xhemajl Fetahaj, shkruan “Epoka e re”.
Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve u përhap shpejt dhe mori përmasa gjithëpopullore, ku, pas ftesës së nismëtarëve, u inkuadruan Anton Çetta dhe shumë profesorë të tjerë të UP-së. Shtrija e pajtimit të gjaqeve mori hovë edhe në Tetovë, Shkup, Gostivar, Luginë të Preshevës etj.
Me qëllim të koordinimit të veprimtarisë së saj, Lëviza e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, gjatë periudhës njëvjeçare të funksionimit, 1990-1991, ka mbajtur tri Kuvende: Kuvendi I, 19 maj 1990 në Strellc të Deçanit, Kuvendi II, 18 nëntor 1990 në Osekë Hylë të Gjakovës, Kuvendi III, 17 maj 1992 në Prishtinë.
Tubimet masive për faljen e gjaqeve
Më 15 prill 1990 është mbajtur tubimi për faljen e gjaqeve në Novosellë të Gjakovës dhe Zllakuqan, në ditën e festës së Pashkëve. Aty u falën 16 gjaqe, plagë dhe ngatërresa. Ndërkaq më 26 prill 1990 është mbajtur një tubim edhe në Bubavec të Malishevës, ku u falën 37 gjaqe, shumë plagë dhe ngatërresa. Më 1 maj 1990 është mbajtur tubimi për faljen e gjaqeve te Verrat e Llukës, ku ndodhën 106 pajtime: 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa.
Në këtë tubim pajtues morën pjesë 500 000 pjesëmarrës. Më 28 korrik 1990 u mbajt edhe një tubim për faljen e gjaqeve në Çegran, në “Rudinën e Pajtimit”, bri Malit të Thatë, ku u falën 3 gjaqe dhe 6 ngatërresa. Aty arritën të tuboheshin 50 mijë veta. Shumica e tubimeve të tilla të mëdha hapeshin me thirrjen – kushtrim të heroit Adem Demaçi: “Jo atyne që janë trima me ngrehë gishtin e krimit, por atyne që janë burra me shtri dorën e pajtimit”.
Numri i pajtimeve të arritura brenda një viti, 1990-1991, të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, shkoi në 2 511. Prej tyre, 1 169 janë gjaqe, 477 plagë, ndërsa 865 është numri i ngatërresave. Të gjitha gjaqet, plagët dhe ngatërresat u falën nga familjet e dëmtuara pa asnjë kusht a kompensim, në emër të rinisë, të Kosovës, flamurit kombëtar dhe gjakut të dëshmorëve të derdhur për liri; në emër të të burgosurve politikë që po kalbeshin nëpër burgjet e Jugosllavisë.